Një ditë pasi Partia Demokratike, aleatët e saj dhe LSI-ja vendosën djegien e mandateve të deputetit, sot selia blu ka kaluar në veprime konkrete. Ajo ka mblodh rreth orës 18:00, kryesinë e saj. Pas mbledhjes së kryesisë, e cila zgjati për më shumë se dy orë, kreu i saj Basha njoftoi se u miratua me unanimitet djegia e mandateve. Sipas Bashës ky akt nuk është një qëllim në vetvete, por fillimi i një sfide e cila synon të garantojë një qeveri për njerëzit, e jo për krimin.
Opozita kërkon krijimin e një qeverie tranzitore dhe largimin e kryeministrit Rama. Mësohet se deputetët e opozitës do të bëjnë secili nga një kërkesë personale për lënien e mandatit dhe këto kërkesa do t’i dërgohen më pas Kuvendit. Pasditen e së mërkurës, në orën 17:00 PD do të mbledhë Këshillin Kombëtar, i cili do të jetë organi përfundimtar që do të vendosë për lënien ose jo të mandateve.
Në mbledhjen e grupit të PD u vendos të mandatohet kryetari Basha që të mbledhë Këshillin Kombëtar për marrjen e vendimit përfundimtar dhe të ngrihet një grup pune për teknikalitetet me njerëz që njohin ligjin dhe zgjedhjet. Janë propozuar për grupin: Gaz Bardhi, Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj, Çlirim Gjata, Ivi Kaso. Pavarësisht disa deklaratave të forta të ndërkombëtarëve Basha deklaroi se nuk ka më kthim pas për djegien e mandateve dhe se nuk do të ketë më parlament fasadë.





