Në një edicion të gjatë dhe me shumë balanca, çdo skuadër ka momentet e saj të luhatjes dhe Teuta po e përjeton një të tillë. Një skuadër e ndërtuar për të shkuar larg dhe deri në fund të vitit të kaluar po shijonte një ecuri mbresëlënëse.

Starti i vitit 2019 e ka përfshirë Teutën në një vorbull barazimesh, nga e cila nuk po del dot, duke humbur terren ndaj kryesuesve dhe duke mos krijuar distancën e sigurisë nga ekipet ndjekëse si Skënderbeu apo Laçi. Pa dyshim që katër barazime janë shumë për një skuadër si Teuta në këtë sezon, por stafi bashkë me skuadrën ka besimin dhe mbështetjen e plotë të presidencës.

Në pragndeshjen e radhës me Kukësin, bregdetarët duket se do të pësojnë një minirevolucion në formacion. Për trajnerin Bledi Shkëmbi, duket se pritja ka mbaruar dhe sulmuesi kroat Tomislav Bushiç do të jetë i gatshëm për të zbritur nga minuta e parë kundër verilindorëve. Jo vetëm ai, por edhe Vajushi, i cili do të spostojë Kamaranë në stol, pritet të marrë minuta me fanellën e Teutës.

Një nga lojtarët më shumë të aktivizuar, Traore, do të rikthehet në pozicionin e tij, në mesfushë. Në ndeshjen e fundit ai luajti në rolin e një sulmuesi krahu, por ishte një zgjedhje e kushtëzuar e teknikut korçar për shkak të mungesës së Vecajt. Një rreshtim, i cili do të sjellë Prognin si sulmues krahu, pas disa javëve ku mbajti përgjegjësin e sulmuesit kryesor.

Tani durrsakët, pas shumë javësh, do të zbresin në fushën e lojës me një sulmues tipik qendre si Bushiç. Repartet e tjera nuk do të pësojnë ndryshime dhe pritet të jenë identike si ndeshja e kaluar, me Hidin në portë, Hakajn, Frashërin, Osmanin dhe Arapin në mbrojtje, ndërsa në mesfushë me Kallakun, Sidibenë dhe Traoren.

Pra, më në fund skuadra mund të marrë frytet e investimeve të janarit. Nisur nga ambiciet që Teuta ka këtë sezon, e vetmja alternativë për ndeshjen e radhës është fitorja. Përballë do të jetë një ndër skuadrat më të forta në kampionat, por gjithsesi edhe ajo ka treguar luhatjet e saj. Në dy fazat e para bregdetarët kanë marrë vetëm një pikë përballë Kukësit të Cungut.

Jo vetëm kjo, por edhe historia është kundër Teutës në 13 ndeshjet e fundit, pasi bregdetarët kanë fituar vetëm një. Kësisoj, ndeshja e së premtes është si një moment revanshi dhe ringritje për durrsakët. Në harkun e 13 takimeve të fundit Kukësi ka fituar nëntë herë dhe vetëm tri ndeshje janë ndarë në "paqe".

Gjithsesi, në fazën e parë verilindorët i shkaktonin humbjen e parë të sezonit dhe të vetmen që Teuta ka në shtëpi deri më tani pas një goli të Rexhinaldos. Ndoshta nuk është kundërshtari i duhur për situatën e Teutës, por skuadra e Shkëmbit nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse të dalë me tri pikët, pasi çdo rezultat tjetër do të ishte si vetëvrasje.