Banorët që jetojnë në të njëjtin pallat të vjetër ku ra zjarri sot në lagjen nr.1 në Durrës, kanë reaguar menjëherë pas ngjarjes me nota revoltimi e irritimi.
Për kamerën e “DurrësLajm”, ata thonë se shkak i zjarrit edhe i disa problemeve të mëparshme është bërë pikërisht gruaja e moshuar që jeton vetëm në apartamentin që u përfshi nga flakët..
Për shkak të moshës së thyer edhe të mosprezencës së familjarëve, pakujdesia e 80-vjeçares F.C., ka shkaktuar disa herë probleme me ujin që rrjedh të fqinjët.
Sot pas rënies së zjarrit, fqinji i saj një kat më poshtë, thotë se zgjidhja e duhur do të ishte që ta dërgonin të moshuarën në azil pleqsh, pasi kështu po u shkakton probleme madhore atyre.
“Jemi ankuar 100 herë. I jam drejtuar edhe Bashkisë, edhe policisë. Ka 3 muaj që e lë çezmen hapur dhe më pikon tavani. Po për shtëpinë time kush përgjigjet? Ku të shkojmë? Edhe ne pensionistë jemi si plaka, nga 80 vjeç. Ta marrin ta çojnë në azil pleqsh”, shprehet ai.
Zjarri ra sot reth orës 08:45 në banesën e shtetases F.C., 80 vjeçe, e cila sipas policisë ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet në Spital nën kujdesin e mjekëve.





