Një çështje tjetër që lidhet me emrin e Salas ka dalë në skenë këto ditë.Kjo pasi sulmuesi ishte në pronësi të Nantes dhe ishte nisur drejt Uellsit, për t’iu bashkuar Cardiffit, pasi klubet kishin rënë dakord për një shifër prej 17 milionë eurosh për transferimin e tij.
Megjithatë zhdukja e avionit bëri që klubi uellsian të bllokojë pagesën drejt Nantes, gjë që ka futur në konflikt të dy klubet, pasi francezët pretendojnë se duhet të paguhen për kartonin e Sala-s.
Në arsyetimin e tyre, drejtuesit e Nantes këmbëngulin se firmat për marrëveshjen ishin hedhur dhe se lojtari u mor nga Franca, me një avion të kontraktuar nga klubi uellsian, ndaj duhet të marrin pagesën.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Cardiffit kapen fort pas një pike që e bën kontratën të vlefshme vetëm në rast se sulmuesi kalon me sukses testet mjekësore, të cilave Sala nuk iu nënshtrua dot, pasi nuk arriti dot në Uells.
Nantes ka dhënë 10 ditë afat për të marrë 17 milionë eurot, sepse më pas do të çojë çështjen në komisionet e UEFA-s, të cilët do të duhet të vendosin se si do të procedohet me këtë rast.





