Tekniku i Teutës është i kënaqur, jo vetëm me rezultatin dhe kualifikimin, por edhe me lojtarët e aktivizuar në këtë takim dhe deklaron se është në pritje që dy blerjet e fundit të jenë sa më shpejt të gatshëm për ekipin.

“Ishte një takim i rëndësishëm për ne dhe natyrisht jam i kënaqur për kualifikimin. Gjithashtu jam shumë i kënaqur me lojtarët dhe ky ishte një takim që disave u shërben dhe si test për sfidat e ardhshme. Atë që ishte më e rëndësishmja, e morëm, pra kualifikimin.

Na presin dy takime shumë të rëndësishme në kampionat, i luajmë dhe në shtëpi, por jemi të fokusuar te Kamza për momentin dhe natyrisht çdo fitore si kjo na bën të ndihemi mirë. Tani shpresoj që të rikthehemi te fitoret edhe në kampionat.

Patjetër jam i lumtur që na është bashkuar Vajushi në organikën tonë dhe tani jemi në pritje se kur do jetë në formën e tij më të mirë për t’i shërbyer ekipit.

Sa më shumë lojtarë të gatshëm dhe që luajnë mirë të është një luks për mua. Pres me padurim që si Vajushi dhe Bushiç të jenë në formën e tyre më të mirë dhe më pas besoj se do jemi akoma dhe më shumë një skuadër e fortë”, tha Shkëmbi.