Aleatët e NATO-s do të nënshkruajnë të mërkurën protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, së bashku me ministrin e Jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë në një postim në rrjetin social, Twitter se më 6 shkurt “do të shkruhet historia”.

Parlamenti i Greqisë ka ratifikuar më 25 janar Marrëveshjen e Prespës, e cila i ka dhënë fund kontestit mbi 27-vjeçar mes të Maqedonisë dhe Greqisë për emrin.

Me këtë marrëveshje, Maqedonia është pajtuar për ndërrimin e emrit në Maqedoni e Veriut ndërsa Shkupi ka pranuar se gjuha maqedonase është pjesë e grupit të gjuhëve sllave dhe se identiteti nuk ka asgjë të përbashkët me maqedonasit e lashtë.

Marrëveshja mes dy vendeve është nënshkruar më 17 qershor të vitit 2018 në Prespë. /REL