Policia italiane ka arrestuar një vajzë 24-vjeçare shqiptare banuese në komunën Ovada në provincën e Alessandrias, pasi përplasi për vdekje një person.
Aurela Perhati, banuese prej dy vitesh në këtë qytet akuzohet se ka aksidentuar për vdekje 53-vjeçarin italian Massimo Garitta. Pas aksidentit pasditen e 31 dhjetorit, 24-vjeçarja shqiptare është larguar nga vendngjarja.
Por ajo u identifikua nga policia falë gjurmëve të lëna në xhupin e viktimës nga marmita e automjetit tip “Lancia Y” e zezë në zotërim të Aurela Perhatit.
Gjatë mbrëmjes së djeshme e pas 6 orësh marrje në pyetje, e reja ka rrëfyer versionin e saj të ngjarjes. Ajo ka treguar se nuk e njihte më parë Massimo Garrittan dhe se rreth orës 18:45 të 31 dhjetorit ka pranuar ta shoqërojë me makinë.
Ky i fundit njihet nga policia italiane si person narkoman që shpeshherë kërkonte lëmoshë në rrugë për të blerë drogë, shkruajnë mediet italiane.
Sipas Aurela Perhatit, viktima është përpjekur ta dhunojë seksualisht duke e detyruar të zbresë nga automjeti në një zonë të izoluar. Ajo ka mundur të largohet e gjatë manovrës me makinë e ka aksidentuar.
“Mendova se vetëm e kam prekur me makinë, jo aksidentuar deri në vdekje”, ka deklaruar ajo.
Prokurori i çështjes Enrico Cieri ka deklaruar se “motivi i dhunës seksuale është për t'u marrë në konsideratë, por ende për t'u verifikuar. Viktima është gjetur me pantallona të ulura por njëkohësisht dhe 24-vjeçarja ka pranuar qëllimin e saj për të përplasur me makinë”. Ndërkohë vijojnë ende hetimet.
Aurela Perhati ndodhet aktualisht në burgun e Vercellit. Ajo jetonte në Ovada së bashku me familjen e saj, aktualisht ishte e papunë por deri para disa muajsh kishte punuar si shitëse në një dyqan këpucësh.





