Nuk reshtin masat kundër produkteve serbe në tregun kosovar. Ministria e tregtisë dhe industrisë ka nxjerrë një urdhëresë, sipas të cilës të gjitha produktet e vendosura në raftet e marketeve, krahas çmimit duhet të përmbajnë edhe flamurin e vendit ku janë prodhuar. Vendimin e bëri publik përmes rrjeteve sociale, ministri Endrit Shala sipas të cilit masa synon të nxisë prodhimin vendas.

Endrit shala, ministër i Tregtisë dhe Industrisë: Tashmë secili konsumator dhe qytetar i Kosovës do ta dijë saktë se produktin e cilit vend po ble… Ky është një hap tjetër për inkurajimin e qytetarëve të Kosovës që të blejnë sa më shumë prodhime vendase.

Ndërsa zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë kritikoi vendimin e qeverisë për të përfshirë në tatimin me 100% edhe produktet e markave ndërkombëtare që prodhohen në Serbi e Bosnje.

Zyra e BE-së në Prishtinë: E kemi parë me shqetësim vendimin e Kosovës për të shtrirë tarifën prej 100 për qind edhe për produktet e markave të njohura ndërkombëtare të vendeve tjera. Vendosja e tarifave nuk kontribuon në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe ajo bie në kundërshtim me angazhime e Kosovës drejt integrimit rajonal dhe angazhimeve të marra nga nënshkrimi i MSA-së.

Kosova vendosi të tatojë me 100% të vlerës mallrat serbe dhe boshnjake si kundërpërgjigje ndaj ndalimit që këto dy vende u bëjnë mallrave me mbishkrimin “Republika e Kosovës”.