Në një deklaratë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka konsideruar tallje me qytetarët dhe degradim të Edi Ramës, ndryshimet që bëri ky i fundit në kabinetin qeveritar.

Basha tha se nuk mjafton vetëm largimi i ministrave, por duhet përballja e tyre me drejtësinë, ndërsa sa u përket ministrave të rinj, ai i cilësoi një pjesë anonim, disa të paaftë dhe të tjerët të korruptuar.

“Ndryshimet në qeveri janë një tallje e madhe me shqiptarët. Pasi i ka braktisur për 5 vite me radhë, sot ka bërë talljen me shqiptarët, duke treguar se ai vendos kë të dojë dhe nuk ka kush ta ndalojë. Edi Rama sot mund të kishte vendosur ministër shoferin e tij, mund të kishte vendosur ministër parukieren e tij. Ministrat e larguar janë njerëz të korruptuar, ata duhet të dalin para drejtësisë. Me aktin e sotëm, Rama tregoi se nuk ka nevojë për ministra. Ai qeveri me oligarkët dhe krimin. Ajo që u ka ofruar shqiptarëve është një përzierje njerëzish të paaftë, anonim dhe disa thellësisht të korruptuar. Ndryshimet në qeveri tregojnë degradimin e plotë të Partisë Socialiste. Edi Rama po bën aktet e një të marri. Çdo shqiptar e ka kuptuar, peshku është qelbur nga koka”, deklaroi Basha.