Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të zhvillojë sot, në orën 08:30, një mbledhje në Pallatin e Brigadave, me thirrjen e Presidentit Bajram Begaj. Takimi vjen pas arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila akuzohet se i ka dhënë informacione sekrete Ergys Agasit gjatë arratisjes së tij.

Në qendër të mbledhjes pritet të jenë çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare, mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe masat që duhet të merren për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare përbëhet nga drejtuesit e 13 institucioneve dhe drejtohet nga Presidenti i Republikës. Në takim do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, i cili u kthye një ditë më parë në Shqipëri pas vizitës së tij në SHBA.

Pas vendosjes së masës ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Rama deklaroi se Hyseni duhet të përballet individualisht me drejtësinë, por e cilësoi masën e marrë ndaj saj si ekstreme. Sipas kryeministrit, çështja nuk lidhet vetëm me përgjegjësinë individuale, pasi hetimi ka nxjerrë në pah edhe shqetësime për mënyrën se si është mbrojtur informacioni i klasifikuar.

Rama ka argumentuar se një hetim penal ndaj drejtuesit të një institucioni si SHISH mund të ketë ndikim edhe në sigurinë kombëtare dhe interesat e shtetit. Për këtë arsye, pritet që në mbledhje të diskutohet edhe se cilat masa dhe garanci janë të nevojshme për të mbrojtur institucionet e sigurisë dhe informacionin sekret gjatë proceseve hetimore.

Në mbledhje do të marrë pjesë edhe drejtuesi i komanduar i SHISH-it, Elvis Lila. Ai do të qëndrojë në krye të institucionit deri në emërimin e drejtuesit të ri. Përzgjedhja e drejtuesit të ardhshëm të SHISH pritet të bëhet në konsultim mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Bajram Begaj.