Në Kosovë, një pjesëtar i policisë është vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me një plaçkitës në një bankë në Kosovën perëndimore.

Në një njoftim të policisë thuhet se një person që u identifikua me nistoret K.M. hapi zjarr kundër dy pjesëtarëve të policisë që ndërhynë për të penguar një plaçkitje të një banke në komunën e Istogut.

Plaçkitësi i cili po ashtu u vra, kishte marrë peng dy veta gjatë plaçkitjes. Policia tha se tek ai janë gjetur një revole, një garantë dore dhe një pushkë automatike AK-47.

Mediet lokale e identifikuan plaçkitësin si Kamer Metaj, 50-vjeçar me një të kaluar kriminale në Gjermani.

Autoritetet thanë se polici i vrarë është Izet Demaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

Udhëheqës institucionesh e partish politike dënuan vrasjen e tij duke ngushëlluar familjen dhe policinë e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, në një reagim tha se “vepra heroike e flijimit për të shpëtuar jetët e pafajshme është dëshmi e radhës për profesionalizimin dhe humanizmin e Policisë së Kosovës dhe veçmas të pjesëtarit të saj, njëherit ish-ushtarit të UCK-së, Izet Demaj”.