Shpërthimi i një makine që ndodhej e parkuar pranë një karburanti për pak sa nuk përfundoi në tragjedi mbrëmjen e së enjtes, duke shkaktuar 4 të lënduar. 

Ngjarja ndodhi në lagjen nr 9, në qytetin e Korçës. Makina Benz me targa AA575PT, ishte në pronësi të një gruaje me iniciale V.D, e cila ndodhej në automjet së bashku me dy persona të tjerë.

Gjendja e tyre paraqitet jashtë rrezikut për jetën, teksa u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Korçës.

Ngjarja ka ndodhur në momentin kur automjeti tip Benz ka qenë i ndaluar pranë një karburanti, e nga dyshimet paraprake të policisë thuhet se në mjet ka pasur rrjedhje gazi. Zjarri mund të ketë rënë aksidentalisht nga ndezja e një cigareje nga drejtuesja e mjetit.

Ka qenë pikërisht shtetasja V.D., e cila shoqërohej nga një mikeshë J.O. dhe një shtetas F.D., që mbetën të lënduar, sikurse edhe punonjësi i karburantit, D.M.

Një grup hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.