I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka tha se vitit 2018 në Shqipëri krijoi një situatë të trishtueshme, pasi sipas tij, politika shqiptare prodhoi një konflikt të riciklueshëm.

“Momentalisht ka një situatë të trishtueshme në Shqipëri. Ajo që të bënë të ndjehesh jo shumë mirë është fakti  se riciklohet konflikti politik. Mbyllja e vitit 2018 jo vetëm në aspketin politik, nuk është e mirë. Sot kemi në Parlament deputetë pa vota direkte. Nga të gjithë pranohet se është një sistem dhe kod jo i duhur zgjedhor. Partitë e mëdha dakordësohen për kodin zgjedhor. Partitë e vogla janë të paralizuara dhe kërkojë ndryshimin e kodit, sepse njerëzit nuk zgjidhen, por emërohen. Kemi zhvilluar takim, jo shumë të programuar, por herë pas herë jemi konsultuar, duke qenë se situata ka qenë e mbarsur me ngjarje. Unë kam qenë kundër bojkotit të Parlamentit dhe këtë ia kam thënë edhe Bashës”, tha ai.