Lirohet banori i Unazës së Re që goditi me këpucë kryeministrin Edi Rama. Gjykata e Tiranës ndryshoi sot masën e sigurisë për Ilias Sketirajn.
Ai ka lënë qelinë pas plotësimit të masës 30 ditë në burg, ndërsa hetimi do të vijojë në detyrim paraqitje.
Pas protestës së dhunshme në datën 22 nëntor para parlamentit ku mbeti e plagosur efektivja Ina Nuka, kryeministri Rama shkoi ta vizitonte te spitali i Traumës. Në momentin që kreu i qeverisë doli nga spitali, teksa po fliste për mediat, Sketiraj tentoi që ta qëllonte me këpucë. Gardistët ndërhynë për të mos lejuar që këpuca të kapte kryeministrin.
Ilias Sketiraj u arrestua pas ngjarjes, dhe Shkalla e Parë vendosi 30 ditë burg, që u la në fuqi edhe nga Apeli, ndërsa sot doli nga burgu.





