Në vigjiljetë Krishtlindjeve, socialistët do të mbledhin sot kryesinë për të analizuar thellësisht punën e qeverisë në këtë vit të mandatit të dytë qeverisës, duke konsideruar dhe protestën e studentëve që kryeministri e cilësoi një shuplakë.

Po ashtu më 28 dhjetor, do të mblidhet dhe Asambleja e partisë ku shpesh Rama ka kritikuar ashpër drejtuesit e të gjitha niveleve për shkëputje nga problemet e njerëzve.

Në këto mbledhje socialistët do të diskutojnë edhe për organizimin për sa i përket zgjedhjeve lokale që janë në horizont.

Kjo mbledhje vjen pas protestës 17 ditore të studentëve dhe do të jetë një mundësi për reflektim të politikave që kanë shkuar keq.

Nuk përjashtohen as ndryshimet në qeveri duke qenë se vetë kryeministri dhe drejtues të lartë të Partisë Socialiste janë shprehur se nga kjo situatë do të nxirren përgjegjësit.

Në mbledhjen e Asamblesë do të analizohet edhe puna e drejtuesve partiakë të niveleve më të ulëta, për të marrë një angazhim më të madh të grupit parlamentar dhe i funksionarëve të lartë të partisë, për të përballuar situata të ngjashme.