Pas një seance e cila zgjati rreth shtatë orë dhe u shoqërua me debate dhe replika të forta mes maxhorancës dhe opozitës, shumica parlamentare ka rrëzuar me 74 vota nismën e opozitës për Vettingun në politikë. 52 vota të opozitës kanë shkuar pro nismës për amendamentet kushtetuese. Gjatë kësaj seance protagonist u bë ish-kryeministri Sali Berisha i cili lëshoi një ultimatum duke përdorur vargjet e një kënge patriotike: "Vetting në politikë ose rrëmbeni armët". 

Gjatë diskutimeve, kryetari i PD, Lulzim Basha ftoi maxhorancën që të votonte amendamentet kushtetuese sot, ndërsa opozita do pranonte çdo propozim të shumicës për të bërë ligjin të zbatueshëm. 

Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se nisma e opozitës është absurde, pasi procesi i Vettingut bëhet përmes zgjedhjeve dhe institucioneve të drejtësë duke iu referuar ngritjes së SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. 

Balla kërkoi nga opozita të japë votat për reformën zgjedhore në mënyrë që ligji elektoral të miratohet përpara festave të fundvitit, por kjo kërkesë nuk mori dakordësinë e pakicës parlamentare.