Partia Demokratike ka akuzuar pozitën këtë të premte për çështjen e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho, tha se ish-ministri Ritvan Bode nuk është përfaqësues i opozitës, por i Edi Ramës, ndërsa kundërshtoi edhe mënyrën e propozimit të kandidatëve për anëtarë të Bordit të Bankës së Shqipërisë.

“Ne nuk pranojmë që kandidaturat që duhet të propozojë PD t’i propozojë mazhoranca. Ritvan Bode nuk është përfaqësues i PD, por është i Edi Ramës. Dje në seancë ju ngritëm këtë çështje, nga kryetari i PD, që nuk pranojmë që përfaqësuesit që duhet të propozojmë ne në institucione t’i caktoni ju. Prandaj e kundërshtojmë praktikën tuaj, votimin që keni bërë dje dhe që doni të bëni sot. Trego një dokument komunikimi që ke bërë me PD për këtë çështje, para se të thuash se i ke ndjekur të gjitha rrugës. Rastet i ke të qarta, nuk kalojnë 3 kandidatura të Kuvendit me 28 firma. Kalojnë çdo kandidat me 28 firma.”