Një ditë më parë, një numër i konsiderueshëm i banorëve të Xhafzotajt, “4 rrugëve” dhe Shijakut protestuan në aksin nacional që lidh Durrësin me Shijakut për gjendjen tërësisht të amortizuar të këtij aksi. Ata bllokuan për disa minuta kalimin në këtë aks dhe i vunë flakën kazanëve të mbeturinave.
Pas mbajtjes së kësaj proteste, policia e Durrësit ka nisur procedimin penal për 3 shtetas, të akuzuar për 2 vepra penale.
Sipas policisë së Durrësit, shtetasit K.G., B.E. dhe B.L., vjeç, 54, 42 e 35, banues në Xhafzotaj, akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Ky është procedimi i parë penal nga policia e Durrësit për organizatorët e protestave për bllokimin e rrugëve, pasi në dy raste të ngjashme, kur banorë të qytetit bregdetar dhe simpatizantë të PD-së bllokuan për më shumë se 30 minuta autostradën Durrës-Tiranë nuk pati asnjë ndjekje penale.





