Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, John Bolton, përmes rrjetit social Twitter ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje sa më shpejtë të jetë e mundur. Këto deklarata, Bolton i bëri në takimin me ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Miro Cerar në Shtëpinë e Bardhë.
“Unë mirëprita ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Miro Cerar në Shtëpinë e Bardhë. Si aleatë të NATO-s, ne diskutuam për interesat tona ekonomike dhe të sigurisë në Evropë, si dhe nevojën që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në postimin e Bolton.
Raundi i ri i bisedimeve në Bruksel ende nuk është përcaktuar nga Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Zyrtarja ndërmjetëson dhe lehtëson dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.