Prova të reja janë zbuluar në lidhje me ngjarjen e rëndë ku një shqiptar dhe një grek akuzohen për vrasjen e studentes 21-vjeçares greke. Në shufrën e hekurit me të cilën u godit viktima është gjendur ADN-ja e 19-vjeçarit shqiptar Aleksandër Luca.
Kështu shtohen akoma më shumë dyshimet se 19-vjeçari shqiptar vrau studenten greke, dhe se ai nuk tha të vërtetën pas arrestimit, shkruajnë sot mediat helene.
Aktualisht Luca është në burgun e Grevenas pas sulmit të dhunshëm në burgun e Avlonas. Mjekët e spitalit Evangjelismos nuk konfirmuan përdhunim të 19-vjeçarit.
Pamjet e rënda janë publikuar nga mediat greke ditë më parë ku shihet se si 20-vjeçari dhunohet nga të burgosurit e tjerë.
“Nuk e bëra unë, e bëri ai tjetri”, dëgjohet të shprehet i riu shqiptar, duke akuzuar shokun e tij grek, bashkëpunëtor në ngjarje.
Aleksandër Luca mori fillimisht ndihmën e parë në burg dhe më pas u dërgua në spital. Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur një hetim të brendshëm për të zbuluar se si të burgosurit e tjerë u futën në qelinë e shqiptarit.
Ai së bashku me të akuzuarin tjetër, shtetasin grek Manolis Koukouras dyshohet se kanë përdhunuar dhe më pas vrarë studenten 21-vjeçare, duke e hedhur në det me këmbë të lidhura.





