Në një dalje për mediat, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka konfirmuar skandalin e denoncuar në media dhe bëri me dije se ka zgjidhur kontratën me kompaninë "DH Albania”, e cila kishte fituar tenderin e ndërtimit të lotit të parë të “Unazës së Madhe".

Ai tha se ka marrë konfirmimin nga autoritetet amerikane se kjo kompani e ka falsifikuar një pjesë të dokumentacionit.

"Në cilësinë e Ministrit udhëzova ARRSH dhe çdo institucion tjetër të varësisë sime nëse ka kontrata apo që mund të kenë kontrata me këtë kompani apo procedura tenderimi ku mund të ketë marrë pjesë të fillonin menjëherë procedurat e pezullimit dhe marrjen e masave për verifikimin e  dokumentacionit të kësaj shoqërie.

ARRSH me 7 dhjetor pezulloi punimet dhe zbatimin e kontratës për lotin e parë të Unazës së Madhe të Tiranës dhe ARRSH ju drejtua zyrtarisht Ministrsië së Infrastrukturës për të ndihmuar komunikimin me autoritetet amerikane në lidhje me verifikimin e pretendimeve të ngritura nga media. Me 7 dhjetor në mëngjes i jam drejtuar zyrtarisht me shkresë Ambasadës amerikane, Ministrisë së Punëve të Jashtme që edhe ajo përmes Ambasadës sonë në Uashingon të vihej në lëvizje si dhe kam kontaktuar me kërkesën time zyrtarë të Ambasadës së SHBA dhe u kam kërkuar ndihmë dhe asistencë.

Në bazë të përgjigjeve të ardhura dje rezulton se një pjesë e dokumentacionit të paraqitur nga kompania "DH Albania" në procedurat e tenderit është e falsifikuar. Janë të dhëna të rreme, një pjesë e informacionit nuk ekzistonte në regjistrat tregtarë.

Pas marrjes së këtij konfirmimi ARRSH ka zgjidhur menjëherë kontratën në fjalë dhe do të filloë menjëherë  procedurat e sekuestrimit të garancisë së garancisë së kontratës që ka një vlerë 10% të vlerës totale të kontratës. ARRSH ka bërë ndërprerjen e njëanshme të kontratës."

Gjiknuri tha se materialet e ardhura nga SHBA do ti referohen prokurorisë që ka hapur një hetim për falsifikim të dokumenteve zyrtarë nga kompania "DH Albania".

"Të njëjtën praktikë ka ndjekur dhe OST ku kjo kompani nëpërmjet një procedure të hapur ka tenderuar në një tender. Nuk rezulton ti jetë shkaktuar asnjë dëm financiar buxhetit të shtetit pasi kontratat nuk kanë filluar të zbatohen dhe pagesa nuk janë bërë. Falsifikimi i të gjithë dokumentave rezulton të jetë kryer jashtë territorit të Shqipërisë. Hapat e ndërmarra nga ARRSH kanë qenë në përputhje me legjislacionin për prokurorimet publike në Shqipëri".