Në Gjykatën e Sarandës ka nisur seanca për masën e sigurisë ndaj policit grek të arrestuar gjatë ditës së djeshme nga policia e Sarandës, ndërsa Prokuroria e rrethit ka kërkuar masën "detyrim paraqitje" ndaj të pandehurit.
Polici grek, Marios Gogoglos u arrestua dje, pasi lëvizte me armë pa leje dhe shoqëronte deputetin e shtetit fqinj, Vasili Jojaka, drejt fshatit Bularat, ku u zhvillua një përkujtim për vdekjen e Kostandino Kacifas.
35-vjeçari me detyrë punonjës policie në Igumenicë, u arrestua në aksin rrugor “Sarandë-Gjirokastër”, në vendin e quajtur “Ura e Kranesë”.
Ai është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë shqiptare me një armë zjarri pa leje, e tipit “pistoletë” me 6 fishekë. Polici grek akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.





