Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar përmes një deklarate për mediat pas njoftimit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar se ka ndërprerë punimet në lotin nr.1 të segmentit të Unazës e Re, që shtrihet nga Ura e Lanës deri te mbikalimi i sheshit "Shqiponja" deri në sqarimin e pretendimeve të bëra mediatike për falsifikim dokumentacioni nga kompania "DH Albania shpk" qe fitoi tender me një bashkim operatorësh
"Sot të gjithë po shohin Ramën e vërtetë pa maskë dhe fasadë. Arroganca, dhuna dhe këmbëngulja mizore dy mujore për të nxjerrë nga shtëpitë qytetarët frymëzohet nga makutëria për para. Sot Edi Rama ka nxjerrë ARRSH që të bëjë mashtrimin e radhës, por duhet të dalë para drejtësisë. Të gjitha koncesionet e ARRSH për rrugët janë akte korrupsioni dhe të gjithë bashkë me ministrin duhet të hetohen dhe të nxirren para drejtësisë. Por ideatori dhe përfituesi i këtyre vjedhjeve është Edi Rama.
Para parasë për atë nuk vlejnë as banorët, as studentët dhe as e ardhmja. Për Ramën qëllimi është vjedhja. Kam një thirrje për të gjithë, mos mbroni kriminelët, mos mbroni vjedhjet, media të hetojë aktivitetin e qeverisë. Bëjeni, mos u bëni palë me të keqen", deklaroi Basha.
Po ashtu, kryeopozitari iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit t’iu bashkohen protestave kundër asaj që ai e quajti "grabitje" që kryeministri Edi Rama po i bën vendit. Ai tha se askush nuk duhet të rrijë më i heshtur, pa vepruar.
"Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që t’u bashkohen të gjitha përpjekjeve për të ndaluar vjedhjet e Edi Ramës. Ju bëj thirrje t’i bashkohen protestës së banorëve të Unazës, të Shkozës, të Bulevardit të Ri. T’u bashkohen qytetarëve që protestojnë prej 10 muajsh për teatrin. T’u bashkohen studentëve që protestojnë për të drejtën e tyre për dije dhe arsimim", tha Basha.





