Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të premte lidhur me kërkesat e studentëve, të cilët tashmë kanë hyrë në ditën katërt të protestës.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Rama thotë se është i gatshëm t’i dëgjojë studentët, pa asnjë filtër.
"…shqetësimi adresohet përmes dialogut me vendim-marrësit. Dua që ta dinë se kam shumë për t’u thënë por patjetër kam shumë dëshirë t’i dëgjoj ballë përballë pa administratorë, pa pedagogë, studentët që i zgjedhin vetë, pa asnjë filtër partiak. Ky vend e ka fituar prej 5 vitesh lirinë e plotë të protestës pa rrezik nga plumbat apo hakmarrjes politike. Protesta e ka pasur të garantuar pacenueshmërinë e statusit të qytetarisë. Po të mund të zgjidhja dot sot do të doja të isha dhe njëherë student protestues jo kryeministër në zyrë. Po si kryeministër dhe si protestues i dikurshëm kam bindjen se duke dëgjuar njëri-tjetrin dhe në këtë rast duke u bërë bashkë, për të shtyrë me forcë përpara modernizimin, mund të përshpejtojmë dhe bëjmë më mirë punë kolosale. Shkurt fjala se sa rrinë në rrugë dhe çfarë kërkojnë ata, kjo është e drejta e tyre legjitime. Ama detyra ime është që ti dëgjoj dhe ti mbështes në adresimin e shqetësimet e tyre në çdo rast që ata do të donin të bisedonin. Kur të duan dhe po të dëshirojnë të dinë ndonjë gjë, bujrum, kjo zyrë është e imja. Por pushteti i kësaj zyre është i kujtdo që kërkon ta përdorë për idenë e duhur në shërbim të vendit dhe shoqërisë dhe të ardhmes që fëmijët e Shqipërisë meritojnë."





