Ditën e djeshme në median online ka qarkulluar lajmi se një 7-vjeçar në Durrës ka humbur në lagjen nr.13 në plazh dhe Policia e Durrësit nuk i ka marrë denoncimin nënës.
Lidhur me këtë lajm, ka reaguar Policia e Durrësit në një njoftim për median ku sqaron se ditën e djeshme kanë shkuar në banesë efektivët bashkë me Shefin e Stacionit të Policisë Plazh dhe ka rezultuar se djali ishte në banesë.
NJOFTIMI I POLICISË
Në lidhje me një lajm të publikuar në media online me pretendimin se ka humbur një fëmijë i mitur dhe Policia e Durrësit nuk ka shfaqur interes dhe nuk i ka marrë denoncimin të nenes, sqarojmë se:
Policia e Plazhit është vënë në dijeni për humbjen e fëmijës F.V. duke u telefonuar nga një qytetare, më datat 20.11.2018 dhe 24.11.2018.
Menjëherë uniformat blu janë vënë në lëvizje duke ushtruar kontrolle dhe brenda disa orëve (në të dy rastet e mësipërme) e kanë gjetur fëmijën dhe ia kanë dorëzuar të nenes se saj.
Sqarojmë se më datë 01.12.2018 nuk ka patur asnjë telefonatë apo kallëzim që të ketë humbur shtetasi i mitur F.V.
E ëma e djalit, shtetësja L.V. nuk është paraqitur në asnjë rast në ambientet e policisë për të denoncuar humbjen e djalit.
Ditën e djeshme kanë shkuar në banesë forcat e Policisë bashkë me Shefin e Stacionit të Policisë Plazh dhe ka rezultuar se djali ishte në banesë.
Policia e Durrësit, jo vetëm për rastin në fjalë, por për çdo denoncim që vjen në adresë të uniformave blu është trajtuar me seriozitet, përgjegjshmëri dhe konform procedurave ligjore ku çdo veprim është i dokumentuar dhe lehtësisht i vërtetueshëm.





