Demokratët e Durrësit kanë protestuar sot në qendër të Durrësit ku një rrethrrotullim u ndërtua vetëm për një muaj dhe më pas u prish nga firma zbatuese gjatë natës, pjesë e investimit të rivitalizimit të lagjes nr. 4, investim i cili bëhet nga FShZh me vlerë 3 milionë euro.

Kryedemokrati i degës së Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, tha se PD do të rishikojë të gjitha investimet publike që ka kryer bashkia e Durrësit përgjatë viteve të fundit në një analizë të thelluar ekonomike. Shkak për këtë dalje publike të kreut të PD-së, është bërë rrethrrotullimi që bashkia bëri në qendër të qytetit dhe pas përfundimit e ktheu menjëherë në gjendjen e mëparshme pasi shkaktonte kaos në trafik.

Xhaferaj tha se Dako po shpërdoron fondet publike dhe nuk po menaxhon si duhet taksat e qytetarëve durrsakë, ndërsa duke iu referuar rrugës së plazhit, theksoi se me ardhjen e PD-së në krye të Durrësit ai segment por edhe investime të tjera do të ribëhen duke u konsultuar me ekspertë të mirëfilltë dhe qytetarë.

Sipas Xhaferajt, lidhja me krimin dhe vizioni që ai ka për qytetin, e bëjnë Vangjush Dakon të padenjë për të drejtuar Durrësin. Bashkia e Durrësit ka kryer një sërë investimesh që nuk janë pritur mirë nga qytetarët durrsakë, siç është ngushtimi i rrugëve dhe zgjerimi i trotuareve, deri te rruga “Pavarësia” në Plazh, e cila shkakton kaos në trafik gjatë muajve të verës.

K.H.