Në kuadër të 1 dhjetorit, Ditës Botërore kundër Sidës, Dega e Kryqit të Kuq Durrës, në bashkëpunim me vullnetarët dhe Drejtorinë e Shëndetit Publik kanë organizuar një marshim me pjesëmarrjen e 150 nxënësve të shkollave të qytetit.
Sipas Brunilda Lamces, sekretares së kësaj dege, qëllimi është sensibilizimi i qytetarëve mbi rrezikun dhe pasojat e kësaj sëmundjeje. E vendosur në vitin 1988, si Dita Botërore kundër Sidës, 1 dhjetori është një formë për të përkujtuar njerëzit që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje.
Nga viti 1993 deri më sot, në vendin tonë, për shkak të këtij virusi vdekjeprurës janë ndarë nga jeta 232 pacientë. Ndërsa, për këtë vit numri i vdekjeve të rregjistruara është 20.
Ndër vite, numri i të prekurve nga HIV/AIDS është 1195, nga të cilët 44 janë fëmijë nën moshën 15 vjeç. Përsa i përket rasteve me infeksione të reja, përgjatë periudhës janar-nëntor 2018, nga testimet e kryera, kanë rezultuar 92 të prekur nga HIV. Të dhënat zyrtare flasin për një rritje me përmasa të frikshme të kësaj sëmundjeje.
Ndërkohë, Drejtoria e Shëndetit Publik konfirmon se në saj të fushatave sensibilizuese, numri i qytetarëve, që i janë nënshtruar testimeve për HIV/AIDS ka njohur rritje nga viti në vit. Konkretisht për 2018, ato kanë kapur shifrën 700.
Marshimi i organizuar në kuadër të kësaj dite u përmbyll me formimin e fjongos simbol , nga ana e të rinjve pjesëmarrës, përpara sheshit “Liria” të qytetit të Durrësit.
K.H.





