Një grup elektriçistësh që punojnë në stadimin e ri të Tottenham Hotspur pohojnë se kanë javë pa u paguar dhe kjo situatë mund të vijojë edhe për Krishtlindje. Punëtorët kërkojnë që klubi të ndërhyjë, duke pretenduar se kompania e kontraktuar për të instaluar alarmet e zjarrit, Tyco, refuzon të lirojë pagesat e tyre.

Elektriçisti Harvey Kirk për ‘TalkSport’ tha: “Ne jemi instaluar këtu prej 80 javësh, por papritmas ne jemi përjashtuar nga fondi i pagesave. Kjo nuk duhet të ndodhte”. Për këtë çështje ai dhe nëntë punëtorë të tjerë po përfaqësohen nga Unioni i Pavarur i Punëtorëve të Britanisë së Madhe.

Ndërkohë që për këtë çështje, një nga zëdhënësit e klubit të Tottenham-it pohoi: “Kjo nuk është një çështje mes nesh dhe elektriçistëve, por mes Tyco-s dhe punëtorëve”.