Banorët e zonës së Astirit të cilët preken nga projekti i Unazës së re kanë dalë edhe pasditen e sotme në protestën e tyre në ditën e 27 të protestës. Në mbështetje të banorëve kanë qenë edhe deputetë të opozitës si dhe kreu i PD, Lulzim Basha. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se PD do mbështesë banorët dhe sipas tij zgjidhja është anulimi i projektit.

“Deri më sot siç e keni bërë dhe ju të ditur tre fakte kanë dalë në dritë, korrupsion në prokurim, korrupsion në hartimin e  projektit dhe korrupsion me mënyrën si është vepruar me pronën e qyetarëve, banorët. Kemi të bëjmë menjë aferë të madhe korruptive. Ditë pas dite si mediat dhe opozita kanë bërë të ditura këtë. Këtu po vidhen mijëra euro. Janë paratë e qytetarëve që po vidhen. Ne jemi dhe do të jemi në krah të qytetarëve. Zgjidhja është anulimi i këtij projekti dhe dërgimi para drejtësisë i atyre që kanë shkelur ligjin. Nuk do ti lëmë vetëm qytetarët.”– tha Basha.