Kryeministri Edi Rama po merr pjesë sot në 10 korrik në eventin Rilindja 2.0, e cila parasheh projekte të reja dhe moderne për të gjitha bashkitë e vendit.

Fjalën në këtë event e nisi ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, i cili përmendi projektet që do të vihen në zbatim për bashkitë.

“Dua të falënderoj kryeministrin Rama, që ka hedhur idenë për Rilindjen 2.0. Unë besoj fort se të gjithë ne kryetarët e bashkive jemi të ndërgjegjshëm për sfidat që hasim çdo ditë në territor. Sot kemi 83 muze në territor, janë 22 projekte konkrete që do të marrin jetë. Me këtë paketë, me këtë mbështetje financiare, kjo paketë do krijojë 70 muze bashkiakë, që do të fokusohen tek traditat lokale. Ne po punojmë që të zgjidhim dhe çështjen e parkimit. 120 milionë euro do të harxhohen për ta zgjidhur çështjen e parkimit.

Na duhen arkitektë, që krijojnë qytete, që ofrojnë dimensione të reja. Kjo do ketë impakt edhe për peizazhin urban. Ne duam që të ndihmojmë të rinjtë, që duan të ndërmarrin hapa në sipërmarrje. Ne duhet të vazhdojmë këtë sukses. Edhe mjedisi është i rëndësishëm, sepse patjetër që mjedisi është një sfidë që na ka shoqëruar prej shumë vitesh. Është një sektor që kërkon investime të mëdha. Ne jemi të vetëdijshëm sesa rëndësi ka që territori të mbulohet 100 përqind në menaxhimin e mbetjeve. Investime janë parashikuar në këtë sektor, deri në 2030 do jenë 150 milionë euro që do të hidhen për të mbrojtur mjedisin”, tha ministri Demo.

Më tej, foli edhe për teknologjinë, që duhet të jetë në funksion të qyteteve.

“Janë 94 milionë euro që janë gati, por nevoja është shumë e madhe. Ne do të krijojmë një situatë krejt të re. Çdo bashki në vend sot në një mënyrë apo në një tjetër ka filluar që të përdore teknologjinë për shërbimet e veta. Teknologjia do të ofrojë mundësi të re në të gjithë territorin. Kemi sigurinë në shkolla dhe kopshte. Kemi sigurinë në plazhe dhe në pika turistike dhe monitorimi i mbetjeve në tërësi. Bashkitë sot kanë buxhete të ndryshme sa i takon përdorimit të teknologjisë, por ato duhet të kenë një koordinim më të qartë. Ndërmarrjet e përbashkëta ne projektojmë që të kemi një numër prej 20 shoqëri të përbashkëta. Kjo është një paketë ambicioze, e cila kërkon në fakt që t’iu përgjigjemi sfidave të kohës dhe për zhvillim ekonomik lokal, por edhe atyre në rang vendi”, deklaroi Demo.