Këngëtarja e njohur shqiptare Elvana Gjata nuk është më në kërkim policor.
Ka përfunduar afati prej 30 ditësh që Gjata ishte në kërkim për vrasjen në ish-Bllok, ngjarje në të cilën mbeti i vrarë një 28-vjeçar dhe u plagosën dy të tjerë.
Krimi ndodhi më 4 tetor të këtij viti, ndërsa u shpall në kërkim më 9 tetor.
Shpallja në kërkim policor e detyronte Gjatën që të paraqitej për të dhënë shpjegime brenda 30 ditëve, pasi duhej të jepte deklarimet e saj për ngjarjen. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. E cilësuar si ‘mollë sherri’ për vrasjen në Bllok, ngjarje në të cilin u përfshi dhe i dashuri i saj, Ervin Mata, këngëtarja e njohur shqiptare u largua nga Shqipëria më 5 tetor, vetëm pak orë pas ngjarjes. Këngëtarja ishte larguar nga Rinasi drejt një vendi të BE, ndërkohë që nuk dihet vendndodhja e saj. Kujtojmë se Mata aktualisht është në kërkim policor, bashkë me Meviol Bilon, ndërsa ky i fundit akuzohet se qëlloi ndaj viktimës dhe dy të plagosurve.





