Ditët e fundit, policia e Durrësit ka regjistruar dy denoncime për vjedhje dhe në të dyja rastet bëhet fjalë për vajza të reja, të cilave u janë marrë çantat nga persona të panjohur.
Rasti më i fundit është regjistruar ditën e diel.
“Më datë 25.11.2018, shtetasja A. I., vjeçe 22, banuese në Durrës, ka bërë kallzim se rrugën “Naim Babameta”, një person i panjohur i ka marrë çantën”, njofton policia.
Ndërkohë, dy ditë më parë, ka ndodhur e njëjta gjë me një tjetër vajzë të re.
“Më datë 23.11.2018, shtetases A. M., vjeçe 23, banuese në Durrësi i kanë marrë çantën”, njoftoi policia ditën e premte.
Në të dy rastet, vajzat kanë deklaruar se nuk e njohin personin që u ka marrë çantën. Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për të njëjtin person, apo janë persona të ndryshëm që kanë realizuar vjedhjet.
Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit në të dyja rastet. Nga ana tjetër, për grupin hetimor nuk është ende e qartë, nëse objektivi i hajdutëve janë vajzat e reja, apo ka qenë një koincidencë që në të dy rastet e denoncuara çantat u janë marrë femrave të reja në moshë.





