Ka bërë bujë në media e rrjete sociale çështja e Alynes, e dashura bloggerit Nas Daily e cila ishte e ftuar në fillim të këtij muaji në "Xing me Ermalin". Gjatë emisionit situata u tensionua pas një pyetje qesharake të Kejvinës dhe Alyne nisi të qante duke u shprehur se në Shqipëri femrat trajtohen si plehra.
Pas kësaj Alyne postoi edhe një video në faqen e saj në Facebook ku ndër të tjera këmbëngul se pyetja e Kejvinës nuk ishte për të qeshur. Ditën e sotme, më në fund ka reaguar edhe vetë moderatori Ermal Mamaqi i cili ka postuar një video ku sqaron të vërtetën e kësaj historie.
"Në fillim isha shumë i hutuar sepse nuk e dija nëse ajo po qante, po qeshte apo po shtirej. Po i shpjegoja që ishte thjesht shaka dhe një pyetje qesharake. Ajo filloi të na ofendojë. Jo vetëm mua, por çdo shqiptar duke thene se sa harbutë qenkemi ndaj femrave. E dashura e Nasit bën një video për të vënë në dukje çështjen e saj duke më përdorur mua si një imazh seksizmi, për të treguar sa i keq jam dhe sa e mirë dhe e drejtë është ajo. Unë mendoj se e dashura e Nasit e përdori këtë situatë. Ajo më përdori mua".
Moderatori tregon edhe disa momente nga emisionet e huaja ku kanë ndodhur situata të tilla por çdo gjë është marrë me shaka dhe të qeshura.
"Në çështjen që po ngre e dashura e Nasit dhe që po bën virale kam dyshime që ajo vetë po përdor femrat negativisht dhe mbi të gjitha Kejvinën. Ajo po përdor imazhin e një vajze tjetër për të ngritur çështjen e saj", shprehet Ermali.





