"Air Albania" do të nisë fluturimet ajrore nga Rinasi në fillim të vitit 2019. Lajmin e dha Atashehu tregtar i Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Halis Kaya në një forum që organizoi në Tiranë Dhoma Turke e Tregtisë (ATSO).

"Palët kontraktore janë duke sqaruar disa detaje teknike, pasi ne kishim planifikuar qe fluturimet të nisnin që më 2018-n", shtoi më tej ai.

Ndërkohë, kompania ka kaluar testet provë të fluturimeve.

Më 16 qershor të këtij viti, Qeveria përcaktoi për herë të parë procedurat për krijimin e shoqërisë "Air Albania"” e cila do të operojë në fushën e transportit ajror. Tre ortakët e saj, sipas të njëjtit vendim, janë "Albcontrol", sh.a., që përfaqëson palën shtetërore shqiptare, dhe dy subjekte të tjera, "Turkish Airlines" dhe "MDN Investment", sh.p.k.

Qeveria njoftoi se krijimi i kompanisë "Air Albania" do të ofronte më shumë mundësi për shqiptarët që të preknin disa destinacione me çmime të ulëta duke e konsideruar veten si një linjë "low cost".