Një delegacion i Komisionit të Venecias do të vizitojë Tiranën në datat 19-20 nëntor për të marrë opinionet e partive parlamentare mbi propozimin e Partisë Demokratike për vetingun në politikë.

Në axhendën e publikuar në faqen e Komisionit të Venecias theksohet se bazuar në kërkesën e bërë nga Kuvendi i Shqipërisë për të marrë një opinion mbi vetingun në politikë, do të zhvillohen disa konsulta me partitë parlamentare dhe më pas do të bëhet draftimi i opinionit. “Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të vizitojnë Shqipërinë më 19 dhe 20 nëntor, në kuadër të përgatitjes së opinionit mbi draftamendamentet kushtetuese për të bërë të mundur vetingun e politikanëve, përfshirë vlerësimin e marrëdhënieve të zyrtarëve të lartë me krimin e organizuar”, theksohet në njoftimin e Komisionit të Venecias.

Hartimi i opinionit përfundimtar për këtë çështje do të bëhet në sesionin plenar që Komisioni i Venecias do të zhvillojë në datat 14 dhe 15 dhjetor të këtij vitit. Deri atëherë, pritet që vetë Kuvendi të zhvillojë tryeza konsultative mbi këtë çështje. Në axhendën e punimeve të Kuvendit janë rifutur sërish seancat dëgjimore me grupet e interesit. Këtë herë, seanca e radhës dëgjimore do të zhvillohet nesër në qytetin e Elbasanit ku do të merren opinione nga grupet e interesit mbi këtë çështje të kërkuar nga opozita.