Sekretari i Përgjithshëm dhe deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari, përmes një konference për shtyp ka reaguar pas deklaratave të Astrit Avdylajt sot në sallën e gjyqit, të një prej personave të arrestuar si pjesë e bandës së Shijakut në kuadër të operacionit ‘Vol-Vo 4’.

Në një dalje nga selia e LSI-së, Braimllari tha se Rama po dhunon Kushtetutën dhe institucionet që sipas tij i shërbejnë dhe bashkëpunëtorëve të tij në krim, Dakos e ministrave. Sot në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Avdylaj deklaroi hapur mbështetjen për kryebashkiakun Vangjush Dako dhe simpatinë për PS, ndërsa shtoi se aty ai qante hallet.

Në emër të LSI-së, ligjvënësi i drejtoi sërish disa pyetje Ramës, të njëjtat me ato në deklaratën e djeshme, duke nisur nga arsyeja e dorëheqjes së Xhafajt, e deri tek Tahiri.

“Zhvillimet e sotme nga Gjykata e Krimeve të Rënda konfirmojnë për të disatën herë lidhjen e Edi Ramës me krimin e organizuar.
Paligjshmëria e Edi Ramës synon mbrojtjen e bashkëpunëtorëve të tij, Vangjush Dako dhe ministrat e tjerë të lidhur me botën e krimit të organizuar në Shqipëri. Me ndihmën e të cilëve u realizua dhe blerja e zgjedhjeve. Ato çka kemi bërë publike prej kohësh, përfshirjen e strukturave kriminale në zgjedhjet e qershorit janë vërtetuar sot.
Dhunimi i Kushtetutës dhe i institucioneve, kapja e Prokurorisë së Përgjithshme dhe e Krimeve të Rënda i shërbejnë Edi Ramës për të mbyllur një orë e më parë çështjet e bashkëpunëtorëve të tij në krim. Po risjell përsëri në vëmendje të opinionit publik pyetje të cilat kërkojnë përgjigje nga Edi Rama, përgjigjen e të cilave e pret e gjithë Shqipëria.

Cilat janë arsyet e dorëheqjes së Fatmir Xhafes, ish-ministër i Brendshëm?

Cila është lidhja e Edi Ramës, Kryeministër i Shqipërisë me Avdylajt?

Përse ka frikë Edi Rama nga Bajrat?

Çfarë iu ka premtuar ai atyre si kryeministër i vendit?

Deri ku shkon përfshirja e Edi Ramës në laboratorin e Hasit?

A e gjeti Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, pronarin e 613 kg të kokainës në Maminas?

Për çfarë e kërcënon Ndokaj nga burgu Edi Ramën?

A e kërcënon Vangjush Dako Edi Ramën?

A është kthyer Edi Rama në një kredi të vërtetë bankare për Vangjush Dakon?

Me çfarë materialesh e kërcënon Saimir Tahiri dhe deri ku shkon përfshirja e Edi Ramës në çështjen e Xibrakës?”, tha Braimllari.