Në kundërpërgjigjet ndaj demokratëve që kërkojnë arrestimin e tij, sot reagimi i radhës nga ana e kryebashkiakut Vangjush Dako ka qenë kundër deputetit Luçiano Boçi.

Pak orë pas daljes së këtij të fundit nga selia blu, ku kërkonte arrestimin dhe hetimin e Dakos, pas deklaratës së dhënë në gjyq nga njëri prej anëtarëve të Avdylajve, ka ardhur edhe reagimi i kreut të bashkisë.

Dako, duke zgjedhur sërish faqen e tij të “Facebook”-ut, thotë se Luçiano Boçi do t’i shtohet listës së demokratëve që do të denoncojë, teksa ka zgjedhur edhe të komentojë deklaratën e bërë nga Astrit Avdyli, duke e cilësuar si “qesharake”.

“Asnjëherë s'e kam kuptuar dot si mund të ketë qenë pedagog një njeri kaq qesharak sa Luçiano Boci! Sot ka dalë Luçi dhe përveç avazit të dosjes 399 paska folur i emocionuar nga deklarata e njërit nga Avdylajt në gjyq.. Për të qarë dhe për të qeshur edhe Avdyli edhe Luçi edhe Lul Peshku bashkë!”, shkruan Dako në nisje të reagimit të tij.

“Njëri del ne gjyq dhe mirë që nuk kërkoi edhe krehër para pushkatimit të togës gjermane.. Tjetri del tek partia dhe kërkon llogari nga unë për një deklaratë qesharake që flet vetë më shumë se çdo koment për autorin! Ky Luçiano më mungonte në listën e gjyqit dhe do futet sot direkt, po ndërkohë po i çoj dhe një disk të Ribla Çorbes se ky është si tip këngëtari jugosllav nga ata të kabareve komuniste!”, përfundon reagimin e tij kryebashkiaku Vangjush Dako.