Ditën e shtunë u hoq simboli i “Shqiponjës” që ndodhej te rrethrrotullimi pranë Doganës së Tiranës.
Gjashtë vite pas vendosjes së saj, në media u aludua se “Shqiponja” u hoq pasi do të fillonin punimet për rrugën që do të ndërtohet si vazhdim i Unazës së Re të kryeqytetit.
Por sot Kryeministri Edi Rama, ka reaguar në rrjetet sociale duke sqaruar edhe arsyet. Rama e cilëson simbolin e kësaj “Shqiponje” si shenjë të vulgaritetit të ngritur në një piedestal.
Ai thotë se “Shqiponja” e bënte hyrjen e Tiranës të dukej gjatë natës si skena të librave horror, duke përmendur këtu një nga autorët më të shquar të librave thriller dhe horror, Edgar Allan Poe.
“Kurrë vulgariteti s’kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal, se sa në rastin e kësaj “shqiponje” në mesin e një skenografie pseudoklasike prej hyrjeje në kazino, që natën e bënte hyrjen e Tiranës si skenën e një filmi nga një tregim i Edgar Allan Poe-s! Më në fund”, shkruan Rama në “Twitter”.
Simboli i “Shqiponjës” u vendos në hyrje të Tiranës në vitin 2012 në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në kohën kur Berisha ishte kryeministër dhe Lulzim Basha kryetar i bashkisë së Tiranës.





