Kryeministri Edi Rama ka firmosur këtë të premte për ridërgimin te Presidenti Ilir Meta kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit ministër të Brendshëm.
“Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit Ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Rama paralajmëroi dje se në ditët e ardhshme qeveria do t’i drejtohet dhe Gjykatës Kushtetuese për një interpretim të kësaj çështje. Ndonëse kjo Gjykatë aktualisht është jashtë funksionit, kryeministri tha se në momentin që ajo do të plotësohet me anëtarë mund ta marrë në shqyrtim.
Mos dekretimi i Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm solli debate të shumta në politikë por Rama urdhëroi socialistët të mos e komentonin.





