Partia Demokratike akuzon se tenderi për ndërtimin e Unazës së Re është aferë korruptive që i jep 18 milion euro një kompanie guaskë me pronarë të panjohur.

Sipas zëdhënëses, Ina Zhupa, tenderi në total 40 milion euro ka fitues të paracaktuar me garë fiktive.

"Faktet se pas rindërtimit të Unazës së re fshihet një afere korruptive janë disa:

1.Kompania Dh Albania është krijuar në korrik të këtij viti, një muaj e gjysëm para hapjes së tenderit

2. Kompania mëmë e saj është kompani e regjistruar në parajsë fiskale, me pronarë të panjohur.

3. Kompania Biba X ka nuk ka përvojë në ndërtim rrugësh, aktivitet të cilin e ka shtuar pak para së të shpallej fitues i tenderit

4. Kompania Biba X, sipas të dhënave të medias, ka qenë nën sekuetsro edhe gjatë periudhës kur ka marrë pjesë në tenderin e Unazës së Re, në shkelje flagrante të ligjit të Prokurimeve Publike",- tha Zhupa.

Prej disa ditësh, banorët kanë protestuar kundër prishjes së banesave për shkak të punimeve në Unazën e Re.

Disa prej këtyre banorëve janë shoqëruar nga policia në komisariatin numër 6, ndërkohë që paraditen e të mërkurës për t'u interesuar për situatën në polici shkuan deputetë demokratë Gent Strazimiri dhe Klevis Balliu.

Partia Demokratike i ka bërë thirrje qeverisë dhe bashkisë që të dëmshpërblejë banorët që u prishen shtëpitë.