Dubai ka ishujt “Palm Jumeirah”. Bahrejni i ka ishujt “Amwaj”. Megjithatë, ishujt e ndërtuar nga njerëzit nuk paraqesin diçka të re, siç mund të keni menduar. Mijëra vjet para se kombet e sotme të fillojnë ndërtimin e ishujve artificialë, njerëzit parahistorikë në ishujt britanikë e bënin të njëjtën gjë.
Të njohur si “crannogs”, këta ishuj ndërtoheshin kryesisht në liqene dhe disa prej tyre ishin ndërtuar që para 5000 vitesh. Një model më i njohur i këtyre ishujve ishte një lloj shtëpie e rrumbullakët, e vendosur në një bazë më të gjerë se madhësia e shtëpisë. Këta lloj ishujsh ishin tipikë për Skocinë dhe Irlandën e sotme. Deri tash në Skoci janë gjetur 350 të tillë, ndonëse numri mund të jetë shumë më i madh.
Pavarësisht numrit të madh të tyre, arkeologët thonë se gjetja e një ishulli të tillë do të ishte e barasvlefshme me gjetjen e ndonjë thesari shumë të çmuar sepse shumica e tyre tashmë gjenden nën ujë, aty ku edhe janë ruajtur më mirë.
“Është mahnitëse të ulesh në një shtëpi të Epokës së Hekurit pas 2500 vitesh. Në to ende mund të dallohen pjesë dhe pajisje të ndryshme”, thotë Nick Dixon, drejtor dhe themelues i Fondit Skocez për Arkeologji Nënujore.
Numri i konfirmuar i këtyre ishujve është mbresëlënës sepse ndërtimi i tyre nuk është punë e lehtë. Këtë e kanë provuar vetë hulumtuesit, të cilët e rindërtuan një të tillë me duart e veta, me qëllim që të shërbejë si dëshmi për vizitorët. Dallimi i vetëm i këtij ishulli të rindërtuar është se ai ka një urë lidhëse nga toka në mënyrë që vizitorët të futen brenda.
Ajo që bie në sy është rehatia që këto shtëpi ofrojnë. Ndonëse duken të vogla nga jashtë, brenda kanë hapësirë të mjaftueshme për rreth 20 persona. Në to nuk ka asnjë pjesë të metaltë dhe e tërë struktura është e ndërtuar nga druri dhe materialet organike, shkruan BBC.





