Pas studentëve të Durrësit, ishin banorët e Sukthit që u ngritën në një protestë për ndotjen mjedisore që iu shkaktohet si rezultat i djegies së plehrave në fushë të hapur.

Banorët e Sukthit thanë se bashkia e Durrësit duhet të ndërhyjë shpejt, në të kundërt ata që prej ditës së hënë, si hap të dytë kanë bojkotimin e mësimit nga fëmijët e tyre në shkollën nëntëvjeçare.

Fillimisht banorët bllokuan për disa minuta rrugën që lidh Sukthin me Maminasin e më pas u zhvendosën te kanali i ujërave të larta, i cili është kthyer në vendgrumbullim të mbetjeve urbane të të gjithë zonës duke nisur nga Sukthi, Shijaku e fshatrat përreth.

Banorët thanë se nga tymi që përhapet në të gjithë fushat është e pamundur të hapen dyer e dritare, ndërsa më të rrezikuar janë fëmijët të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme duke përfshirë edhe astmën që vjen si pasojë e ndotjes.

Disa herë i janë drejtuar njësisë vendore të Sukthit, por për herë të parë janë grumbulluar për të protestuar së bashku ndaj këtij probemi që i shqetëson të gjithë.

Banorët e Sukthit i kujtojnë kryeministrit Edi Rama premtimin që iu dha duke iu thënë “Rrëzoni Sali Berishën me votë nga pushteti, dhe qeverisja do të bëhet e juaja, kur të marr unë qeverinë”! Banorët thonë se plehrat duhet të largohen nga vendi ku grumbullohen e digjen, në të kundërt autoritetet do të përballen me zemërimin e popullatës.

Ndjekim banorët që flasin.

K.H.