Kaosit dhe rrëmujës së punimeve për rikonstruksionin e rrugëve në qytetin e Durrësit, së fundmi po i shtohen edhe dy rrethrrotullime të reja.
Të projektuara për t’u ndërtuar njëra pranë dy qendrave tregtare “Flagship” e “BlueStar” te rruga “Egnatia”, dhe tjetra te kryqëzimi i zonës së njohur si ish-1 Maji (te Valuta), qytetarët e Durrësit kanë mbetur të çuditur kur panë të rrethohej me tel hekuri kjo e fundit.
Pavarësisht se ndërtimi i rrethrrotullimeve, prej disa dekadash është gjetur si zgjidhje për trafikun e rënduar nëpër kryqëzime, në Durrës ka ende pika më të nxehta ku dendësia e trafikut i kalon përmasat e dy kryqëzimeve të lartpërmendura, e ku mund të shihet më e domosdoshme se ajo te “1-Maji”.
Këtu mund të përmendim sheshin “Pranvera”, kryqëzimin te pallati i sportit, apo kryëzimin te zona e stadiumit mes rrugëve “Mujo Ulqinaku” e “Hysen Kërtusha”, tri prej kryëzimeve me fluks të dendur makinash, dhe ku bllokohet shpesh qarkullimi. Pikë problematike për nga vetë pozicioni; te “Pranvera” dhe pallati i sportit për shkak se janë në mes të qytetit; dhe te kryqëzimi te stadiumi ku ndodhen disa prej shkollave me numrin më të madh të nxënësve. Të gjitha këto sjellin pa diskutim një alternativë të vetme: do krijohet më shumë trafik, do të ketë më shumë aksidente dhe më shumë telashe.

(Foto: Majtas-kryqëzimi te stadiumi; djathtas-kryqëzimi te sheshi “Pranvera”)
E siç “DurrësLajm” ka raportuar dhe në mjaft kronika të mëparshme, këtu janë dhe zonat ku ndodh dhe një numër i lartë aksidentesh.
Në shumë kryqëzime, ndërtimi i rrethrrotullimeve premton për përmirësimin e trafikut rrugor në të ardhmen, por situata aktualisht paraqitet ndryshe te rotonda e re te qendrat tregtare, kjo për shkak edhe të mos përfundimit të punimeve, dhe bllokimit të një sensi rruge, nga “Flagship”-i deri te rotonda tjetër e re.
Në një kronikë të “DurrësLajm” rreth 10 muaj më parë, kur kishte nisur rikonstruksioni total i rrugës “Egnatia”, raportonim se rruga do të pësonte transformime të mëdha dhe po ashtu disa rrethrrotullime në kryqëzime, pritej të ndërtoheshin përgjatë rrugës (lexo këtu).
Duke parë ‘hovin’ e ndërtimit të rotondave të reja, “DurrësLajm” u interesua pranë Bashkisë së Durrësit, për të marrë informacion nëse ekziston ndonjë projekt për ndërtimin e një rotonde tjetër në qytet, por burimet thanë se aktualisht të vetmet që ishin planifikuar, tashmë kanë filluar të ndërtohen.
Por deri në përfundimin total të punimeve, që duket se në këtë qytet nuk përfundojnë kurrë, çka sjell dhe ankesa të shumta si nga drejtuesit e mjeteve ashtu dhe nga këmbësorët, mbetemi në pritje se si do të përshkallëzohet trafiku pas ndërtimit të këtyre rotondave.





