Familja Lazri para katër vjetësh erdhën nga fshati i tyre i Mirditës në fshatin Rinia në skajin verior të Durrësit. Ata erdhën me shpresat se një botë e një jetë më e mirë po i priste.

Tre fëmijët e familjes Lazri më i madh 21 vjeç dhe më i vogli 16, së bashku me nënën e tyre kishin kaluar vështirësitë më të rënda pasi kryefamijari ishte ndarë nga jeta 18 vjet më parë dhe fëmijët ishin rritur mes skamjes, varfërisë dhe mjerimit në Mirditë.

Por fati u tregua mizor dhe i pamëshirshëm për familjen, e cila u strehua në një ish-repart ushtarak katër vjet më parë. Si rezultat i mungesës së të ardhurave më i vogli i familjes e ndërpreu shkollën e mesme, i madhi e përfundoi, ndërsa edhe motra e tyre që u martua e re e ndërpreu shkollën në vitin e parë gjimnaz.

Banesa e tyre tregon gjithçka. Nënës së tyre i është dashur të veshë rrobat e bashkëshortit e të bëhet burrë për të mbajtur familjen e të rrisë 3 fëmijët. Djali i madh 21-vjeçar është shpresë vrarë si e gjithë familja e tij e zhytur mes mjerimit.

Ish-godina e repartit ushtarak është vetëm një strehë e cila mund ti mbrojë nga dimri, ndërsa brenda saj kushtet të kthejnë në shekullin e shkuar, kur njerëzimi nuk e kishte njohur zhvillimin ekonomik.

Kjo familje është dëshmi e gjallë se çfarë ndodh me të varfërit në këtë vend. Të varfërit, ata të cilët janë duke kërkuar një punë çfarëdo, punë të ndershme por që janë në kushte të tilla krejtësisht mizore.

Djemtë janë të zhgënjyer nga jeta ashtu si nëna e tyre. Ata u nisën për më mirë në Durrës, por tani nuk kanë më asgjë. As jetën në fshat që e braktisën e as një të ardhme në këtë qytet i cili nuk u jep asnjë mundësi punësimi e jetese.

Në shtëpinë e tyre nuk ka trokitur askush për t’u dhënë asnjë ndihmë. As përfaqësuesit e bashkisë, as të njësisë vendore, as të shoqatave që në emër të tyre kanë bërë para me thasë, as përfaqësues të kishës e të xhamisë.

"DurrësLajm" ju sjell këto pamje që dëshmojnë se ende ka njerëz e familje që përtej çdo paramendimi jetojnë në të tilla kushte.

K.H.