Incidenti i ndodhur gjatë ditës së sotme në fshatin Bularat, ku Kostandinos Kaçifa hapi zjarr ndaj policisë, duket se ka shtuar tensionet mes dy vendeve nisur nga ajo çfarë shkruajnë mediat greke, të cilat i kanë bërë thirrje edhe autoriteteve diplomatike të ndërhyjnë për të zgjidhur çështjen.
“Episod i rëndë me një ushtar grek në Gjirokastër: Ngriti flamurin grek, kapet nga policia dhe qëllohet”, është ky titulli i Protothema.
Në artikull shkruhet se: “ushtari grek ngriti flamurin në varrezat e ushtarëve grekë në kudër të përkujtimit të 28 tetorit. Policia shqiptare, ka hequr më vonë flamurin, me pretendimin se ai nisi të qëllonte me kallashnikov”.
Po këtij versioni i qëndron edhe “Skai”, duke u shprehur se “është ende e paqartë nëse ai ka qëlluar drejt policisë ose në ajër, ndonëse mediat shqiptare pretendojnë se ka qëlluar kundër forcave RENEA”.
“Mononews.gr” shkruan se policia shqiptare ka hequr flamurin e vendosur nga ushtari grek dhe ai i është përgjigjur duke qëlluar me armë. "Ushtari grek ka vendosur flamurin në varrezat e ushtarëve grek, për të përkujtuar 28 tetorin. Sidoqoftë, policia shqiptare e cila ka hequr flamurin, është shfaqur sërish në vend. Më pas ushtari nisi të qëllojë më kallashnikov".





