"Fiks Fare" solli mbrëmë rastin e një zonje nga fshati Dom i rrethit Mat, e cila po merr vetëm gjysmën e pensionit që i takon, pasi është shpallur debitore ndaj ISSH. Sipas kësaj të fundit zonja ka përfituar dy pensione në të njëjtën hark kohor. Nga ana tjetër Dude Lleshi ka marrë vetëm pensionin e pleqërisë.

Vajza e saj Zamira Lleshi, tregon për "Fiks Fare" se kanë përfituar një pension familjar që në 1996 kur i vdiq i ati, dhe e morën këtë pension derisa e ëma doli në pension pleqërie. Pas vitit 2001 familja Lleshi merrte vetëm pensionin e pleqërisë.

Zamira tregon për Fiksin se ka dy vite që mamaja e saj po merr vetëm gjysmën e pensionit të pleqërisë, pasi ka dal se ajo ndërkohë që merrte pensionin e pleqërisë merrte dhe atë familjar deri në vitin 2008.

Debia e zonjës Dude përllogaritet në 2 milionë lekë të vjetra, për të cilat asaj i mbahet 50 përqind e pensionit.

Zonja Dude Lleshi thotë për "Fiksin" se jeton e vetme, se vetëm atë pension kishte, edhe ai ju përgjysmua. "Shtëpi nuk kam, ma ka liruar djali i kunatit, edhe atë pension që merrja e marr gjysëm, nuk më del vetëm për ilaçe" thotë e moshuara.

Gazetarët e Fiksit në dokumentet që morën në familjen Lleshi, vunë re se vitet për të cilat sot familja ishte debitore ishin pension i tërhequr jo në qendrën paguese të fshatit të tyre, por qendra paguese ishte ndryshuar nga inspektorët në një fshat tjetër pa asnjë motiv. Pra pensioni familjar i cili duhej të ishte mbyllur kishte kaluar në fshatin Rukaj nga fshati Suç ku zonja ishte banore.

Pas këtij konstatimi grupi i xhirimit të emisionit investigativ shkoi për një përgjigje në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore Mat, punonjësja Farie Dezhgiu e cila ka bërë edhe ndryshimin e qendrës paguese në ato vite, nuk pranon të ketë lidhje me lëvizjen dhe me ato vite. "S'kam lidhje fare me këtë gjë, në atë kohë s’kam patur fare lidhje" thotë zonja Dezhgiu. Ndërkohë përgjegjësi i Agjencisë Gëzim Leka thotë se një ndryshim të tillë e ka si kompetencë për ta bërë vetëm Drejtoria Rajonale Peshkopi. "Nëse e kanë bërë punonjësit e Agjencisë të shkojnë para ligjit, askush të mos i fshihet ligjit" thotë z.Leka.

Meqë punonjësit e Agjencisë Mat pretenduan se ndryshimi i qendrës paguese ishte bërë nga Drejtoria Rajonale gazetarët e Fiksit ju drejtuan kësaj të fundit.

Drejtori i kësaj drejtoria Shpëtim Murrja , tha "Ne kemi një dokument ku ndryshimi i qendër pagesës është bërë nga Farie Dezhgiu dhe Gëzim Leka, të cilët janë edhe punonjës aktual në këtë agjenci. Nuk ka masë administrative, për to është pak masa administrative, do t’i çojmë për ndjekje penale dy punonjësit e Agjencisë Mat" tha drejtori i ISSH Peshkopi. /Top Channel