Rreth 180 studentë të nivelit master të Fakultetit të Biznesit, janë diplomuar në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e universitetit “Aleksandër Moisiu”, ku i pranishëm ka qenë dhe kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Kryebashkiaku ka pohuar se ky universitet është një partner kryesor për Bashkinë dhe si mbështetje kryesore për tregun e punës.
Këtë vit akademik të ri, programet e studimit të ofruara nga Fakulteti i Biznesit, pranë universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, kanë rezultuar ndër më të kërkuarat nga ana e maturantëve. Numri i maturantëve aplikantë ka qenë shumë më i lartë sesa ai i vitit të kaluar.
Për dekanen e Fakultetit, Prof. As. Dr. Azeta Tartaraj, çelësi i suksesit mbetet përafrimi i programeve të studimit me kërkesat që tregu i punës ka për specialistë të lartë në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe biznesit, ndërsa ka përmendur dhe hapjen e degëve të reja në nivel master dhe bachelor. Ndërkohë, nga plotësimi i kuotave të deritanishme, sipas drejtusve të UAMD-së, asnjë prej degëve nuk është mbyllur.
K.H.





