Shqipëria po përgatitet për ndeshjen miqësore kundër Jordanisë  e cila do të luhet të mërkurën në 10 tetor dhe atë kundër Izraelit për Nations League në14 tetor. Egzon Binaku dhe Xhakomo Vrioni ishin pjesë e konferencës për shtyp të kombëtares, ku folën për ndeshjet e radhës dhe objektivat e tyre me kombëtaren kuqezi.

Egzon Binaku debutoi në fitoren me Izraelin ku zhvilloi një ndeshje të mirë. Më pas humbja në transfertë përballë Skocisë, ndërsa 23-vjeçari i Malmos është gati për të luajtur dhe qëllimi i vetëm është fitorja përballë Izraelit në transfertë. Ai shprehet se duhet të fitojmë ndeshjen me Izraelin. "Ne shkojmë atje për të fituar ndeshjen dhe ky është qëllimi ynë. Klima në ekip është e mirë, kemi lojtarë të mirë."

Për herë të parë do të jetë pjesë e kombëtares dhe sulmuesi Xhakomo Vrioni. Sulmuesi 19-vjeçar është pjesë e Sampdorias, por ka kaluar në huazim te Venecia në Serie B. Vrioni ka luajtur me ekipet U18 dhe U19 të Italisë, ndërsa zhvilloi një ndeshje pozitive me U21 të Shqipërisë, pikërisht kundër moshatarëve italianë.

Panuçi vendosi ta grumbullojë për ndeshjet e radhës, ndërsa sulmuesi shpreh lumturinë e tij për këtë ftesë. Ai është gati për të dhënë maksimumin për kombëtaren e madhe. Ai është shprehur se nuk e priste thirrjen, sepse "bëra vetëm 1 ndeshje me U21, por jam i lumtur dhe do të jap maksimumin këtu. Kisha besim, sepse kam bërë shumë ndeshje me Italinë. Vitin e kaluar nuk më thirrën më dhe bëra një reflektim me prindërit e mi. Në fund vendosëm së bashku dhe zgjodha Shqipërinë…"

Në lidhje me konkurencën në ekip. Vrioni shprehet se këtu ka sulmues të fortë, të cilët kanë vite që luajnë më Shqipërinë. "Trajneri bën zgjidhjet e veta, por do e vë në dyshim deri në fund atë. Objektivi im është të luaj sa më shumë dhe të bëj gol. Mund ta bëjmë të gjithë, jo vetëm unë dhe Binaku, por të gjithë lojtarët. Do bëjmë maksimumin deri në fund që të kualifikohemi në Europian."