Zhvillimi i teknologjisë vitet e fundit ka mbërthyer para kompjuterave apo pajisjeve elektronike një numër gjithnjë e më të madh fëmijësh të vegjël.

Mjekët prej kohësh kanë ngritur alarmin lidhur me dëmet që u shkaktohen fëmijëve dhe adoleshentëve nga përdorimi për një kohë të gjatë i pajisjeve elektronike, duke i ekspozuar ata drejt rrezikut për të dëmtuar shikimin, për t’u prekur nga obeziteti apo për të krijuar një varësi totale nga interneti.

Për t’i paraprirë dëmeve që shkakton interneti, sidomos tek moshat e vogla, shoqata sportive “Juvenilia” në Durrës ka nisur në tetor projektin “Lufta kundër obezitetit dhe mbipeshës”.

Në profilet e kësaj shoqate në rrjetet sociale, njoftohet organizimi i aktiviteteve të larmishme sportive për zhvillimin e aftësive fizike të fëmijëve të kopshteve dhe ciklit fillor. Aktivitetet zhvillohen nga profesori italian Francesco Vitobello.