Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit në luftën kundër kancerit të gjirit. Për këtë arsye, spitali rajonal Durrës po punon që të ndërgjegjësojë gratë e moshës mbi 40 vjeç për të kryer të paktën një herë në vit ekzaminimin në repartin e mamografisë.

Drejtoresha e spitalit, Nadire Jani, shprehet se përveç fushatës në rrjetet sociale po punojnë me mjekët e familjes pranë qendrave shëndetësore që të bëjnë thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit te gratë që nuk e kanë kryer këtë ekzaminim.

Ne spitalin rajonal Durrës ekzistojnë kabinete të specializuara për trajtimin e sëmundjeve tumorale, ndërkohë që këto, sipas drejtores Jani, kryhen falas për pacientët dhe nga mjekët më të specializuar të spitalit.

Rastet e kancerit të gjirit te gratë po rriten nga viti në vit dhe për këtë arsye mbahet kjo fushatë sensibilizimi. Diagnostikimi i kancerit të gjirit në fazë të hershme është mjaft i rëndësishëm, pasi pacientët që mbartin këtë sëmundje shërohen plotësisht në masën 99 për qind të rasteve.

K.H.